Ungjilli i Gjonit 10:1-18
A ju ka rastisur ndonjëherë që dikush ju thërret emrin dhe ju nuk e merrni vesh se nga vjen zëri? Ose ndoshta këtë zë e dëgjonit me vështirësi, për shkak të zhurmës rreth e rrotull.
Dëgjoni, një zë po ju thërret. JU!
Kush jeni ju? Cili është emri juaj? Nga vini? Ku banoni? Për ku po shkoni?
Sigurisht që ju e dini emrin e fshatit tuaj. Ndoshta nuk keni qenë në ndonjë vend tjetër. Megjithatë ju e dini që fshati juaj është pjesë e një vendi të madh, dhe të gjitha vendet janë pjesë e kësaj bote të madhe.
Bibla
Bota u krijua rreth 6000 vjet më parë dhe këtë e realizoi Zoti. Zoti ka një libër që quhet Bibla, ku thuhet se si Ai e krijoi botën dhe si Ai krijoi burrin dhe gruan. Zoti e bëri njeriun Sipas shëmbëlltyrës së tij.
Që nga ajo kohë e më vonë lindën shumë fëmijë dhe shumë njerëz të tjerë vdiqën. Qindra e mijëra të tjerë kanë lindur e kanë vdekur.
Ju keni lindur nga babai e nëna juaj. Por në të vërtetë është Zoti ai që ju krijoi. Ai bëri gjithçka. A e keni menduar ndonjëherë se si i bëri Ai të gjitha këto në një mënyrë kaq të mrekullueshme?
Prindërit tuaj ju kanë vënë një emër. Zoti e di emrin tuaj. Ai di çdo emër, pavarësisht se në ç’gjuhë është. Ai i di të gjitha.
Ai di gjithçka për ne, sepse është pikërisht Ai që na krijoi. Ai na do, sepse ne i përkasim atij. Ai është Ati ynë në qiell, dhe Ai kujdeset për ne më shumë sesa nënat e baballarët tanë.
Zoti
Zoti ka ekzistuar gjithmonë. Ai nuk vdes kurrë. Kështu që, duke na dhënë frymën e Tij na bëri edhe ne të pavdekshëm. Këtu nuk është fjala për trupat tanë sepse ata vdesin, por për shpirtin në brendësinë tonë që jeton pafundësisht.
A e njihni ju Zotin? Ju edhe mund të pyesni, “Kush është Zoti? Ku është Ai?”
A doni me të vërtetë që ta dini. Sigurisht që po. Thellë në shpirtin tuaj ju doni ta dini.
Ju kurrë nuk e keni parë Zotin, apo jo? Por kjo nuk do të thotë që Ai nuk ekziston.
Ekziston vetëm një Zot. Nuk mund të flitet për ndonjë tjetër, sepse vetëm Zoti i vërtetë është Ai që mbush Qiellin dhe tokën. Ai është kudo në të njëjtën kohë.
Qielli, ai vend kaq i bukur atje lart, është shtëpia e Zotit, por ai në të njëtën kohë jeton në zemrat e njerëzve që e duan dhe i binden zërit të Tij.
Si mund të arrij unë që ta njoh Zotin? Mos është kjo pyetja që ju bëni? Për këtë Zoti ka një plan të mekullueshëm për të na ndihmuar.
Zoti na e dërgoi nga Qielli Djalin e Tij të vetëm, Jezusin për t’u treguar njerëzve kush është Ai dhe si është Ai. Zoti dhe Jezusi janë një.
Me anë të një mrekullie, Djali i Zotit lindi si një foshnjë dhe u rrit e u bë burrë Pastaj për tre vjet, Jezusi u tregoi njerëzve për dashurinë e Zotit, Atit të Tij. Ai u tregoi atyre që Zoti është i shenjtë dhe nuk mund të durojë kur shikon mëkate.
Pastaj Zoti gjeti një mënyrë për të na shpëtuar ne nga mëkatet tona. Ai e la djalin e Tij Jezusin të kryqëzohet i gozhduar nga njerëzit e këqinj. Ai dha jetën për ne—kaq e madhe ishte dashuria e Tij!
Ai u sakrifikua që të lajë mëkatet e gjithë botës—çdo mëkat që ju mund të keni bërë ndonjëherë, çdo mëkat të secilit djalë, vajzë, burrë apo grua.
A qëndroi vallë Jezusi në kryq? A qëndroi Jezusi në varr? Jo, mbas tre ditësh, Ai u ngrit fitimtar e vajti përsëri në Qiell dhe po pret atje deri sa Zoti të lajmërojë fundin e botës. Atëherë Ai do të veprojë si Gjykatësi i drejtë i të gjithë njerëzve.
A e keni ungjillin e Gjonit? Lexoni kapitullin 10. Aty Gjoni ka shkruar se çfarë u tha Jezusi njerëzve. Çfarë ka thënë Ai mbetet akoma per ne sot. Jezusi tha që Ai ishte Bariu i Mirë që dha jetën për delet e Tija. Ne jemi delet e Tija që e njohin zërin e Tij. Ai i thërret ato me emër. Ato nuk i binden zërit të huaj.
Zëri i Huaj
Kush është i huaji, ai prej të cilit ne duhet të largohemi? Ai është vjedhës e nuk kujdeset për delet e tija. Ai është gënjeshtar, që i trembet të vërtetës. Ai është djalli. Ai është armiku ynë, Satanai.
Por, para së gjithash, ai është armiku i Zotit. Dikur edhe ai ishte një engjëll i mirë me Zotin në Qiell. Por iu rrit shumë mendja dhe u ngrit kundër Zotit. Ai iu kundërvu Zotit dhe shumë engjëj të tjerë e ndoqën pas atë. Por Zoti fitoi, sepse ai është i plotëfuqishëm. Kështu Zoti e flaku nga Qielli Satanain dhe pasuesit e tij. Për këtë Satanai e urren Zotin.
Satanai, duke e parë që ai nuk mund t’i afrohet më kurrë Zotit, ai e shfren inatin e tij mbi krijesat e Zotit, njerëzit e botës. Për shkak të mëkatit që bëri, ai përpiqet t’i shtyjë njerëzit në mëkat. Por mëkati nuk do të hyjë kurrë në Qiell.
Ekziston edhe një vend tjetër, vendi që Zoti bëri për djallin dhe engjëjt e tij. Ky vend quhet ferr. Ferri është vendi i torturave, ku digjet zjarri që nuk do të shuhet kurrë. Ferri është vendi ku djalli dhe pasuesit e tij do të ndëshkohen për jetë të jetëve. Ai është një vend i tmerrshëm që Zoti e ka përgatitur për ata që dëgjojnë dhe i binden zërit të Satanait. Satanai do që ne të mos mendojmë për ferrin, Ai do që ne të harrojmë Zotin. Ja pra, përse ai vazhdimisht kërkon të na e largojë vëmendjen nga Zoti. Satanai përpiqet të na bindë të dëgjojmë zërin e tij.
Pikërisht në brendësinë tuaj, ju e dëgjoni edhe atë zërin tjetër, zërin e të huajit, apo jo? Ngandonjëherë ai na bën të besojmë që ka përgatitur gjëra të mira për ne. Ngandonjëherë ai na bën të mendojmë: “Unë jam më i mirë se të tjerët. Unë jam i rëndësishëm. Më parë të shoh veten. Më duhet të hakmerrem. Duhet të luftoj për të drejtat e mija. S’ka asgjë të keqe të vjedhësh, përderisa nuk më kapin. Çdo njeri gënjen, përse të mos gënjejë edhe unë? Mendimet e liga nuk janë edhe aq të këqija—askush nuk e merr vesh se ç’mendoj unë. Ç’të keqe ka të përdorësh fjalë të ndyra për t’u argëtuar!.”
Në ndonjë rast tjetër, pesimizmi ju ka bërë të mendoni, “Unë nuk vlej fare, a s’i jap fund jetës?”
Pikërisht ky është zëri i djallit. Ai është gënjeshtar e për këtë arsye përpiqet të na bëje edhe ne të gënjejmë. Ai është vjedhës e për pasojë do që edhe ne të vjedhim. Ai është vrasës, prandaj kërkon që edhe ne t’i urrejmë të tjerët.
Çfarë ndjeni ju kur e dëgjoni këtë zë? A jua bën shpirtin të qetë? Kurrën e kurrës, ai ju zhyt në trishtim. Ai ju fut dëshirën të rrini i fshehur, pikërisht siç vepron Satanai. Ai përpiqet t’i bëjë gjërat në errësirë.
Jezusi, Zëri i Bariut
A e njihni Jezusin, Bariun e Mirë? A do të dëshironit të ishit midis deleve të Tija? A do të donit të dëgjonit zërin e Tij?
Sigurisht që ju keni mundësi; por para së gjithash, ju nuk duhet ta dëgjoni më atë zërin tjetër.
Dhe tani, kur të keni shpirtin të qetë, ju do të dëgjoni zërin e ëmbël të Jezusit. që ju thërret t’ja besoni gjithë jetën tuaj Atij. Ju do të dëgjoni zërin e Tij që ju bën thirrje t’i pranoni dhe të pendoheni për mëkatet tuaja.
Ndoshta dikur, në qetësinë tuaj, ju mund të keni menduar, “Ç’do të bëjë unë me gjithë këto halle e mëkate që më kanë zënë? Do të dëshiroja të bëhesha i mirë e të isha në një vend ku të mos shqetësohesha më për urinë dhe sëmundjen. Ç’do të bëhet me mua kur unë të vdes?”
Dhe ndoshta shumë mendime të tjera mund të keni pasur në mendjen tuaj. Ky është zëri i Jezusit që ju thërret.
Ngandonjëherë ju e ndjeni veten të trishtuar edhe pa e ditur përse. Ose ndjeheni të vetmuar edhe kur nuk jeni vetëm. A e dini përse ndodh një gjë e tillë? Sepse ju jeni larg Zotit, Atij që ju krijoi dhe që ju do. Ai është Bariu që thërret për delen e Tij të humbur. Ai ju thërret pa pushim, ju kërkon, e vazhdimisht ju kërkoni
Kur të dëgjoni zërin e Bariut, përgjigjuni Atij. Tregojini Atij se ju jeni penduar për mëkatet tuaja. I thoni Atij se çfarë ndjeni në shpirtin tuaj dhe lutjuni Atij që t’ju shpëtojë. Kjo do të thotë falje.
A i jeni falur ndonjëherë Zotit të Qiellit? Bëjeni tani. Ai do t’ju dëgjojë dhe do t’ju kuptojë. Ai do t’ju japë paqen që ju kërkoni.
A do të dëshironit të ishit midis deleve të Tija e të dëgjonit zërin e Tij ? Ai do të jetë Miku juaj. Ai do t’jua heqë barrën e mëkatit. Ai do t’jua mbushë shpirtin me lumturi. Ju do të bëheni i dashur e i mirë si Ai. Ai do t’ju ndihmojë ju që t’i kaloni dyshimet tuaja.
Edhe sikur të tjerët të përpiqen t’ju vënë në lojë pse jeni i krishterë, ju rrini të qetë se është Jezusi ai që kujdeset për ju. Edhe sikur i huaji të përpiqet t’ju joshë përsëri, ju duhet të mbështeteni tek Jezusi dhe t’i kërkoni ndihmë Atij.
Kur të jeni i sigurtë në krahët e dashura të Bariut, ta dini që në fund Ai do t’ju çojë në Shtëpinë e Tij të lumtur e të mrekullueshme të kaloni atje me Zotin jetën e amshuar!